Shuhet nga SLA ish-lojtari i kombëtares greke Antzas

Sporti grek është në zi për vdekjen në moshën 49-vjeçare të Paraskevas Antzas, ish-futbollist i Olympiakos me të cilin fitoi shumë trofe mes viteve 1998 dhe 2009, si dhe mbrojtës i kombëtares greke (26 ndeshje, pjesëmarrës në Euro 2008). Antzas ndërroi jetë më 25 maj në qytetin e tij të lindjes, Drama, si pasojë e SLA-së, pra sklerozës laterale amiotrofike, që iu diagnostikua rreth 18 muaj më parë.

Lajmi ka tronditur të gjithë futbollin grek, për shkak të famës së madhe të lojtarit, i konsideruar një nga mbrojtësit qendrorë më të mirë të brezit të tij. Kohët e fundit Antzas ndodhej në terapi intensive në spitalin e Drama. Olympiakos, klubi me të cilin lidhet pjesa më e rëndësishme e karrierës së tij (7 kampionate, 3 Kupa të Greqisë dhe një Superkupë), publikoi një komunikatë prekëse: “Lamtumirë një njeriu dhe futbollisti të madh që nderoi fanellën bardhekuqe me pasion, forcë dhe dinjitet”. Edhe UEFA shprehu ngushëllime, duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar me profil ndërkombëtar dhe shumë ndeshje në arenën europiane.