Alibia e humbjes së Partizanit dhe 30 golat imagjinarë  të  sponsorit Xhaferri

Kishim dëgjuar  dhe do të dëgjojmë prapë, sapo të nxehet “kazani” i  Superligës, kur një arbitër vjedh fatin e ndeshjes duke bërë “magjinë e zezë” tek pika e bardhë e penalltisë. Po kjo që ndodhi këtë javë  në stadiumin  Loro Boriçi në Shkodër , gjatë ndeshjes Vllaznia-Partizani  duket si  ” vjedhja më spektakolare”, nëse do të kemi parasysh kohën në të cilën jetojmë dhe vendin ku ndodhi, atdheun e futbollit, Shkodër.  500 apo 600 tifozë  qënkan futur në majë të gishtave në stadiumin “Loro Boriçi” ,pa i parë askush ,  duke dribluar gjithë armatën e përgjumur të FSHF-së..delegatin, vëzhguesit, rojet anticovidë, bile dhe vetë futbollistët që ishin në fushë. Sa në një moment përgjatë pjesës së dytë, Imami i Vllaznisë, paska pyetur me habi shokun e tij të ekipit : “ A është e vërtetë kjo që po shohin sytë  me tifozët apo  jam në ëndërr…?”

Të gjitha palët  u kapën në gjumë në Shkodër, madje edhe vetë  Partizani,  që kur e kapi veten si humbës në fundin e ndeshjes,  zbuloi  sekretin e madh të ndeshjes: Vllaznia fitoi se kishte 500 apo 600 tifozë në stadium! Pale kur  Olsi Rama u shfaq në ekran dhe  në vend të pranonte që shkodranët e fituan me meritë ndeshjen sepse Partizani  nuk ishte Partizan, që  nuk krijonte dot raste,  dhe gjëja më e mirë që dinte të bënte ishte të ruante portën sikur kishte fshehur ndonjë..thesar!  Por, thesari i vërtetë i ndeshjes nuk paskësh qënë aty, por tek krahu tjetër, tek shkodranët, tek sponsori  debutues Xhaferi që lëshoi bombën “matematikore”: “ Nëse fituam prej 500 tifozëve, po të kishte qënë plot stadiumi ynë do t’i kishim futur nja 30 gola Partizanit..”

Sfidanti.al