Mesi e Suarez e kanë shokun e ri dhe duan të fitojnë gjithçka

Topi i Artë dhe Çmimi i Lojtarit të Vitit nga FIFA nuk jepen në janar, por Lionel Mesi po e nis 2018-ën me këmbën e mbarë. Ndaj Espanjolit, në çerekfinalen e dytë të Kupës së Mbretit ai pati shkëlqimin e radhës, atë lloj shkëlqimi para të cilit ranë në “gjunjë” edhe mediat e Madridit.

Barcelona u kualifikua për gjysmëfinale pas fitores 2-0, duke përmbysur humbjen 0-1 të ndeshjes së parë, dhe Mesi krijoi gjithçka. Ai shënoi njërin nga golat, ndihmoi Suarezin të realizonte një tjetër, ndërsa më në fund e patën mes tyre shokun e ri. Filip Kutinjo hyri në fushën e lojës në pjesën e dytë, në vend të Iniestës dhe bëri debutimin si blerja 160 milionë euroshe.

Katalanasit mbeten në pretendime për çdo trofe, duke qenë të shkëputur në La Liga, mes katër më të mirëve në Kupën e Mbretit (dhe pa Realin e eleminuar), si dhe në turin e dytë të Championsit, ku do të ketë duelin e fortë me Çelsin e Kontes.

Sfidanti.al