Superliga si Man. Junajtidi, blerjet e janarit më të mëdha se në korrik

Luftëtari ishte shembulli më i qartë i një ekipi që dëshiron të ndryshojë shumë në mes të sezonit. Një numër i madh përforcimet u prezantuan në stadiumin e Gjirokastrës, dhe bëhet fjalë për lojtarë që mund të luajnë. Partizani ka qenë po ashtu një “kantier”, “trafik” ka pasur Kukësi, ndërsa më pak Skënderbeu apo Flamurtari.

Me shumë trajnerë të ndryshuar gjatë fazës së parë, kjo ishte gjë që pritej. Partizani, Teuta, Laçi, Vllaznia, Luftëtari, Lushnja apo Kukësi kanë në stol drejtues të tjerë të skuadrës dhe kjo do të thotë 70 për qind e Superligës. Spektakli ishte i madh në muajin e parë të vitit, me buzëqeshje, firma, shtrëngim duarsh dhe shpalosje bluzash, por realiteti na ka treguar se këto ndryshime e dëmtojnë një ekip.

Ndaj, Superliga që nis sot nuk pritet të jetë as edhe aq e bukur sa ajo që u mbyll në dhjetor. Sado “magjikë” të jenë Starova, Lika apo Pakulti, “gjella e futbollit”, do kohën e saj.

Ndeshjet e javës së 17, ora 14:00, Luftëtari-Skënderbeu, Kamza-Laçi, Teuta-Lushnja, ora 17:00, Flamurtari-Partizani, Vllaznia-Kukësi.

Renditja: Skënderbeu 37, Flamurtari 28, Laçi 27, Kukësi 25, Partizani 24 etj.

Sfidanti.al