Finalja e parë e sezonit mes Partizanit dhe Skënderbeut u ndoq vetëm nga një grusht njerëzish në stadium dhe ajo që bëri më shumë përshtypje është madje braktisja që edhe pjesa më e zjarrtë e tifozerisë u bëri skuadrave të zemrës. Shkallët e modernit “Air Albania” organizuan varrimin e futbollit të Superiores pasi sfida që konsiderohej si një nga katër finalet e sezonit, nuk arriti madje të tërhiqte interesin e askujt. Të paktë korçarët dhe me pikatore të kuqtë, çfarë turpi për futbollin. Gjatë gjithë sezonit, altoparlanti i propagandës së FSHF-së, premtoi një finale katërshe në formatin festiv me stadiumin e tejmbushur për t’i dhënë më shumë forcë e soektakël lojës dhe sigurisht, më shumë miliona skuadrave por çfarë ndodhi? Dështim total! Çmimet jashtë logjikës dhe arroganca e FSHF-së për të organizuar një turne sipas kokës së vet duke çnatyralizuar çdo efekt të lojës, bëri që njerëzit t’i japin një shuplakë të fortë njeriut të vetmuar të kullës së fildishtë, i cili do ta “hajë turpin me bukë” dhe me siguri do të shpikë një temë që lidhet domosdoshmërisht me Kombëtaren, për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimi i tij personal.
Nga Pirro Bardhyli