Prag derbi, Tirana e ka “Arenën Air Albania” si vendin e fatit!

Historia nisi në dhjetor të 2019-ës. “Arena Air Albania” ishte përuruar vetëm pak javë më parë me ndeshjen ndaj Francës dhe Partizani e Tirana luanin aty derbin e tyre të parë. Ajo që ndodhi, me fitoren bardheblu në sekondat e fundit, ishte një lloj parathënieje për atë që do të vinte më pas. Ndërsa nesër në orën 19:00 luhet derbi i radhës, Tirana nuk njeh humbje në “Arenë”, përveç ndonjë barazimi. Një traditë që nuk dihet sesa mund të ndikojë këtë herë, por që psikologjikisht është një barrë për të kuqtë. Dy derbit e fundit të fituar nga Partizani kanë qenë 2-1 në “Selman Stërmasi” në mars 2021, ndërsa në janar po të atij viti 1-0 në “Elbasan Arenë”. Trajneri i tiranasve, Orges Shehi, që ka 5 ndeshje që nuk humb derbin nuk i jep shumë rëndësi këtij fakti. Tirana ka vetëm Najdoskin të dëmtuar, por ekipit i kthehet Hysein. Ndërkaq, interesimi i tifozëve ka qenë dhe mbetet i madh. Rreth 5 000 bileta ishin shitur deri mbrëmjen e djeshme, ndërsa sot pritet që sasia të arrijë në 10 000. Me gjasë, “Arena Air Albania” do të jetë plot.

Sfidanti.al