Partizani e Kukësi nuk përfitojnë nga nderi i Kamzës me Skënderbeun!

Ashtu si vjet, në këtë ndeshje nuk pati fitues. Partizani e Kukësi e mbyllën në barazim 0-0 përballjen në “Selman Stërmasi”, duke mos përfituar dot nga gabimi i Skënderbeut ndaj Kamzës. Në një takim ku dominoi frika për të humbur, ndarja e pikëve ishte përfundimi më i drejtë, dhe duhet thënë edhe normal mes dy ekipeve pretendentë për titull. Barazimi bëri që Partizani të mbetet në vendet e fundit, me vetëm 1 pikë (ndonëse është vetëm fillimi i kampionatit), ndërsa Kukësi kaloi pa dëme një nga sfidat më të vështira të edicionit, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve, baraz me Skënderbeun.

Në stadiumin kryeqytetas u vu re një Kukës i organizuar, më i qetë dhe disa herë shumë i rrezikshëm. Partizani këmbenguli, por nuk pati qartësi në manovër dhe në qarkullimin e topit. Të kuqtë u bënë të rrezikshëm vetëm në minutat e fundit, kur presioni për të fituar u rrit, meqë ndeshja po përfundonte.

Më herët, Skënderbeu gaboi në Kamzë, duke treguar se nuk është e lehtë të përballohen dy kompeticione, edhe Superliga, edhe Liga e Europës. Lodhja e udhëtimit deri në Kiev (dhe kthim), impenjimi i fortë fizik ndaj Dinamos ukrainase si dhe disa mungesa në formacion ndikuan në rendimentin e ekipit të trajnerit Ilir Daja. U pa qartë se, pavarësisht nga pretendimet e Skënderbeut dhe potenciali i skuadrës, misioni “titull” nuk do të jetë i lehtë.

Sfidanti.al