Në vitin 2004, Suedia dhe Danimarka barazuan 2-2 dhe ai rezultat eleminoi Italinë që në grup, në Europianin e asaj vere në Portugali. Zllatan Ibrahimoviç shënoi një nga golat e tij më të rrallë në karrierë, me takë pas shpine, duke treguar se prej çfarë “brumi” ishte gatuar. Italia do të luajë sonte në Suedi në ndeshjen e parë të plej ofit të Botërorit, duke e kujtuar edhe atë barazim dhe atë gol. Në Itali, u quajt një marrëveshje (biskoto – biscotto), ndonëse Ibra së fundi pohoi se ishte rezultat normal, pavarësisht justifikimeve të mëvonshme.
Gjithsesi, Italia shkon në Suedi, në “Arenën e Miqve” në Solna, jo vetëm duke menduar për “biskotën”. Statistikat thonë se kjo fushë është një nga më të mallkuarat për të Kaltrit. Prej 105 vitesh, Italia nuk fiton në Suedi, me suksesin e fundit dhe të vetmin në 1912 në Olimpiadë, me një gol të Franko Botandinit. Që nga ajo kohë, italianët kanë 3 barazime dhe 4 humbje në Skandinavi.
Një parashikim për ndeshjen e bën edhe Ibrahimoviç. “Që kur u largova unë, Suedia luan pa presion, pasi askush nuk pret gjëra të mëdha prej saj, veçse mbetet një kolektiv shumë i mirë, thotë ai, – ndaj do të jenë dy ndeshje të vështira për të dyja skuadrat”. Takimi është në program në orën 20:45, ndërsa ndeshja e kthimit në 13 nëntor.
Sfidanti.al