Futbolli e gjeti trashëgimtarin e Mesit dhe Ronaldos, Kilian Mbapenë!

Ishte pikërisht në këtë moshë kur një yll nga Argjentina që luante për Barcelonën u ngjit në Olimpin e botës. Lionel Mesi ishte pikërisht 22 vjeç ku fitoi Championsin me Barcelonën, madje ndihmoi për 6 trofetë, një rekord që e barazoi së fundmi Bajerni. Plot 22 vjeç është sot Kilian Mbape i cili duket se ka arritur atë nivel që kishte atëherë Mesi, dhe tregolëshi i shënuar në “Kamp Nou” në përballjen e Championsit shihet si konfirmimi.

Këtë tha edhe Antuan Grizman pas duelit Barça-PSG, cituar nga BBC, që “Kilian Mbape pati një mbrëmje të madhe, PSG ka yllin e madh të së ardhmes, që do të jetë në nivelin e Le Mesit dhe Kristiano Ronaldos”. Siç shkruan “Deili Meil”, Poçetino (trajneri i parizienëve) nuk ka nevojë për Mesin, sepse ai ka Mbapenë, 11 vjet më të ri dhe aktualisht fuqinë më të madhe të futbollit. Nuk janë të paktë ata që i kujtojnë katalanasve se mund ta kishin marrë Mbapenë në 2017, por ata zgjodhën Usman Dembelenë, një lojtar që përton t’i dalë gjumi. Ndërsa Mbape shënoi 3 gola dhe u ndalua 2-3 herë nga Ter Shtegen, Dembele humbi një gol të përgatitur nga Mesi, si dhe nuk e mbështeti aspak Destin në krahun e djathtë që kishte të bënte pikërisht me Mbapenë.

Kampioni i botës ka 142 gola në 225 ndeshje, ndërsa është 22 vjeç, shifra që Mesi e Ronaldo nuk i kishin më moshën e tij. Vetëm me PSG-në ka 90 gola në 109 takime. Tani pritet të shihet nëse francezi do ta udhëheqë skuadrën drejt titullit në Champions për të lënë pas zhgënjimin e finales së vjetshme ndaj Bajernit, dhe nëse të ardhmen do ta ketë sërish në Paris apo në Madrid.

Sfidanti.al