Gjithë këto javë, Vllaznia kryesonte me lojë argëtuese, me pikë në klasifikim, por edhe në një renditje tjetër, që duket sikur nuk duket , dhe mbetet të përjetohet ! Shkodranët e kishin zakon : nuk merreshin me rivalët e tyre, luftonin kundër të gjithëve, madje dhe kundër vetes kur euforia dhe lodhja u trazuan bashkë për t’i frenuar marshimin. Këtë javë,Vllaznia e ka prishur “gardhin me komshiun”, duke blasfemuar ndeshjen “gjasme” të rivalit të tyre, Partizanit ! Madje thuhet se sikur këtë javë mos ta kishte marrë peng dhuna e ndeshjes Bylis-Laçi, akuza shkodrane do të kishte patur më shumë ..popullaritet!
Fjalët e futbollistit shkodran Erdenis Gurishta nuk mund t’i marrë era, siç ndodh zakonisht kur futbollistët prishin tabunë e heshtjes. “ Nuk më habit fitorja komode e Partizanit me Kastriotin sepse e dinim që do të ndodhte”. Është një frazë e vjedhur nga një intervistë e futbollistit, e cila padit në mënyrë të dyfishtë krutanët që këtë herë kishin “dorëzuar armët” dhe Partizanin, rivalin e ethshëm të tyre, për të cilin vihej dora në zjarr se i mundte kundërshtarët duke i hedhur nokaut , pa patur nevojë që kundërshtari të inskenojë apo të aktrojë rënien përdhe…
Ku bazohet futbollisti Gurishta në këtë profeci? Është e vërtetë që Kastrioti nuk i gjante Kastriotit, pasi i ka mësuar të gjithë si një ekip që kur luan me nerv, duket sikur ka “thikë mes dhëmbëve”. Pse do të mund të pagëzohej si “ballo me maska” kjo ndeshje për krutanët , që për disa javë me radhë, nëse nuk bënte spektakël joshës në fushë, të paktën lëshonte xixa gjatë 90 minutave, ndërsa në ndeshjen me “demat”.. përngjasonin me një ekip që e kishte të dubluar stampimin e humbjes : në herë në fytyrë dhe një herë në lojë!
Sfidanti.al