Të gjithë i mbajnë mend thirrjet gjatë çdo jave të edicionit të shkuar, nëpërmjet të cilave propagandohej një kampionat që nuk kishte të krahasuar, me asnjë prej atyre që janë zhvilluar më parë në Shqipëri. Skuadrat në fushë shfaqnin vështirësi të mëdha për të shënuar gola dhe ofruar lojë, ndërsa organizatorët e aktivitetit shpërthyen si goleadorë që nuk gjenin kundërshtarë, nëpërmjet faqeve të shtypit dhe ekraneve televizive. Dhe në fund, konkluzioni i edicionit, i hartuar në zyrat qëndrore të FSHF-së, pikërisht pas verdikteve të dyshimta që sollën fushat, ishte një ironi therrëse. Sipas klasifikimit zyrtar për skuadrat “fair play”, kampion u shpall Tirana me 264 pikë, pra ekipi që për herë të parë që nga viti 1920 zbriti një kategori më poshtë. Në vendin e dytë Skënderbeu me 252 pikë, skuadra që e humbi garën për një tjetër titull kampion, pas një gjykimi “horror” në Kukës dhe tabelën e renditjes e mbyllën pikërisht kampionët me 231 pikë, duke treguar sipas Federatës, se në këtë lloj futbolli mund të fitosh shumë, mjafton që të bësh një lojë sa më pak të ndershme.
Ndërkohë që edicioni i ri nuk kishte se si të fillonte ndryshe, përveçse sërish me ironi. Në parantezë duhet përmendur, se në fund të kampionatit “model” që u mbyll, shefat e futbollit aq shumë u mbërrthyen nga ethet për ta kontrolluar aktivitetin deri në detaje, saqë e humbën fare logjikën dhe organizuan një raprezalje për mëkatarët që ju dolën jashtë kontrrollit. Kështu fillimisht hartuan një listë të zezë arbitrash të padëshiruar dhe meqenëse inati i bosëve nuk ka kufinj, më pas i fshinë me gomë emrat e tyre (të mirë e të këqinj), me gjithë karierën që përfaqësonin. Dhe për ta mbullur aktivitetin ashtu siç kishin thërritur, pra si kampionë Ballkani, i caktuan me emërim kampionët e vendit dhe fituesit e Kupës së Shqipërisë. Ndërsa ironia brutale qëndron në faktin, se ndërkohë që arbitrat e listës nuk kanë më asnjë shans të rehabilitohen, duke treguar se diku duhet të kenë bërë ndonjë dëm të madh, Enea Jorgji ishte që në javën e parë prezent në fushën e lojës. Ishte ai i rrëmujës Kukësi – Skënderbeu, por që qenka imun ndaj mëkateve. Pra, dikush kërkon të tregojë, se do të vazhdojë të vendosë me arrogancë për gjithçka… në djall loja e ndërshme (fair play).