Një ofertë e pazakontë dhe shumë tërheqëse ka ardhur nga Fox Sports, e cila ka shpallur një vend pune që shumë tifozë të futbollit do ta konsideronin si “punën e ëndrrave”. Rrjeti televiziv amerikan ka hapur aplikimet për rolin e “Vëzhguesit kryesor të Botërorit”, një pozicion unik që konsiston në ndjekjen e çdo minute të të gjitha 104 ndeshjeve të Kupës së Botës. Por ajo që e bën këtë eksperiencë edhe më të veçantë është vendndodhja: personi i përzgjedhur do të ndjekë ndeshjet brenda një kubi xhami të vendosur në zemër të Times Square, përpara mijëra kalimtarëve.
Edhe pse shumë dashamirës të sportit do ta bënin këtë punë edhe pa pagesë, Fox Sports ka vendosur të ofrojë një shpërblim prej 50 mijë dollarësh (rreth 42.500 euro), duke e bërë ofertën edhe më joshëse. Përveç ndjekjes së ndeshjeve, kandidati i përzgjedhur do të duhet të krijojë përmbajtje për rrjetet sociale të kanalit, duke filmuar përvojën e tij dhe duke ndarë reagime nga ndeshjet e Botërorit. Puna pritet të nisë më 6 qershor dhe do të përfshijë gjithashtu edhe vizita të veçanta, pasi sipas njoftimit, figura të njohura dhe legjenda të sportit do të bashkohen herë pas here në kub për të ndjekur ndeshje së bashku me “vëzhguesin”. Një mundësi unike që kombinon pasionin për futbollin me një eksperiencë të rrallë dhe një pagesë të majme.

