Baloteli ia shpërblen Mançinit, sulmuesi një shpresë për Italinë

Në një kohë krize, askush nuk mund të rrijë pa shkuar në “front”. Futbolli italian pati nevojë më shumë se kurrë për Mario Balotelin, ndërsa kombëtarja e kaltër ndihet e varfër duke mos pasur yjet e së kaluarës. U desh ardhja e trajnerit Roberto Mançini që SuperMario të rifitonte vendin në përfaqësuese, dhe menjëherë ia shpërbleu atij me gol.

Sulmuesi i Nisës shënoi ndaj Arabisë Saudite, në miqësoren e luajtur në Sent Galen të Zvicrës, dhe që përfundoi 2-1 për të kaltrit (Beloti dhe Al Shehri ishin autorë të golave të tjerë). Gjithsesi, kriza e Italisë duket nga fakti që në Botërorin e Rusisë do të jetë Arabia Saudite dhe jo ajo, pesë herë kampione e Botës.

Mançini tregoi se është një trajner me karakter që mund të marrë vendimet e duhura, edhe pse të vështira, pasi Baloteli për shumë kohë është njohur si “djali i keq” i futbollit. Ai shpërdoroi karrierën tek Interi, Milani apo Mançester Siti, madje duke pasur edhe sherre me Mançinin, veçse në dy sezonet e fundit, u tregua ndryshe në Francë. Ai shënoi 26 gola për Nisën edicionin e fundit, në të gjithë kompeticionet, ndërsa Manço vendosi të mos ecte me opinion.

Sfidanti.al