U mendua më e keqja pas “hatasë” me Arabinë Saudite, por për fat nuk ndodhi. Natyrisht, nuk ishte vetë fati, por edhe zotësia e “gauçosve” që kthyen në rrugë të mbarë fushatën e tyre në Katar. Argjentina më në fund e arriti fitoren e parë në Kupën e Botës dhe kjo falë Lionel Mesit. Kapiteni zhbllokoi ndeshjen në grup ndaj Meksikës 20 minuta para përfundimit duke ndihmuar ekipin në një sukses të rëndësishëm që jep shpresë për kualifikim. Argjentinasit ishin zhgënjyes në pjesën e parë, por pas pushimit Mesi realizoi një gol të shkëlqyer duke ndryshuar fatin e duelit. Në minutat e funditerdhi edhe goli i dytë me autor Enzon Fernandezin.
Kampionët e Amerikës së Jugut e merituan fitoren, duke qenë më këmbëngulës sesa meksikanët, duke goditur më shumë topin e duke krijuar më shumë raste. Tashmë, Argjentina ka 3 pikë në grupin C, duke qenë 1 pikë prapa Polonisë, por në të njëjtin nivel me Arabinë Saudite. Për Mesin ky ishte goli i dytë në këtë Botëror pas atij të shënuar në ndeshjen e parë pikërisht ndaj sauditëve.
Sfidanti.al