Anglia i ka kundërshtarët që para Europianit, mediat dhe tifozët e saj!

Një lojtar i shkëlqyer që ka bërë kaq shumë për vendin e tij dhe për Liverpulin, Xhordan Henderson, është vënë përpara “skuadrës së pushkatimit”. Kapiteni i Liverpulit, që ishte edhe kapiten i Anglisë në mungesë të Harri Kejnit që u la pushim, u sulmua pa mëshirë nga tabloidët vetëm sepse ia mori topin e penalltisë Dominik Kalvert-Ljuinit dhe pastaj e humbi 11-metërshin ndaj Rumanisë. Një lojtar kaq i dekoruar u akuzua dhe u cilësua “i turpëruar”. “Turpi i Hendersonit”, titulloi “Deili Meil”, ndërsa nuk mbetën prapa as “Deili Mirror” dhe “San”. Nuk mjafton presioni mediatik ndaj një ekipi të vendosur nën trysni të tmerrshme që nga 1966, por ja ku edhe tifozët bënë pjesën e tyre. Natyrisht, jo të gjithë, por edhe një pjesë mjaftojnë sepse ata vërshëllyen dhe zhurmuan kundër lojtarëve të tyre që u ulën në gjunjë para nisjes së ndeshjes ndaj Rumanisë, në shenjë proteste për pabarazinë raciale. Në këtë rast, të paktën, shtypi ishte në anën e futbollistëve, por si mund të ndihet një skuadër kur herë ka kundër gazetat dhe herë tifozët?

Sfidanti.al