Presidenti Çang me laps në dorë për “qethjet” tek Interi!

Stafin në krah e ka shumë të mirë. Me Marotën, Zanetin, Auzilion e të tjerët, Stiven Çang është një president fatlum, por jo edhe aq kur vjen puna tek llogaritë e tij financiare dhe shpenzimet që duhen për Interin. Pasi u largua Antonio Konte bashkë me rrogën e tij 12 milionë euro në sezon, dhe erdhi Inzagi me 4 milionë, presidenti zikaltër po e kalon kohën me laps në dorë, dhe makinën llogaritëse në xhep. Si i bëhet të kursehen 100 milionë euro, që të sigurohet ekuilibri financiar, por nga ana tjetër si i bëhet që të kënaqen tifozët dhe vetë egoja e tij personale, për të qenë me sukses në fushë?

Një ekuacion me të panjohura, ndonëse mediat italiane shkruajnë se Ashraf Hakimi do të jetë njeriu që do të sakrifikohet, dhe që mund të sjellë 40-50 milionë euro. Përveç kësaj, pritet të largohen Perishiç, Vidal e Zhoao Mario, që gjithashtu do të lehtësojnë barrën e rrogave, por lëvizja kryesore do të jetë ajo që të ulen pagesat e larta. Romelu Lukaku duhet të japë shembullin, dhe të tjerët ta ndjekin për të bërë zbritje ndoshta deri në 20 për qind. Mbetet për t’u parë edhe fati i Lautaro Martinezit, që kërkohet nga Atletiko, por edhe nga të tjerë, dhe që mund të sjellë 70-80 milionë euro të tjera. Inzagi, ndërkaq, kërkon përforcime, p.sh. Imobilen.

Sfidanti.al