400 minuta në 14 ditë, Superiorja në epruvetën eksperimentale

Katër ndeshje për 14 ditë, mesatarisht një përballje në 3 ditë e gjysmë. Pas rikthimit të futbollit të klubeve, përgatitësit atletikë dhe fizikë të klubeve me siguri kanë pasur një punë shumë të madhe. Rreth 400 minuta futboll i luajtur për 8 skuadrat e Superiores duke llogaritur faktin që Tirana dhe Partizani kanë në bilanc nga një 90 minutësh më pak për shkak të shtyrjes së derbit por për këtë fakt nuk duhet të fërkojnë duart pasi “barrën” do ta mbartin menjëherë pas rikthimit të ndalesës së kombëtareve.

Duke nisur që prej datës 13 shtator, Egnatia, Dinamo, Erzeni, Vllaznia, Laçi, Teuta dhe Skënderbeu kanë kompletuar një tur force që me siguri mund të rëndojë në muskujt e lojtarëve në fund të sezonit e ndoshta edhe më përpara ndërsa këtë fundjavë rikthehen sërish në fushë për një tjetër ndalesë sfilitëse duke kompletuar 5 javë të cmendura në aspektin fizik.

Në total, pjesa e dytë e shtatorit dhe fillimi i tetorit heqin një pjesë të madhe të tortës së këtij sezoni me 5 javë të ngjeshura e kompresuara në pak më shumë se 2 javë kalendarike e duke marrë parasysh organikat e reduktuara, sforcimin ekonopmik të klubeve për të ndërtuar skuadra me stole të bollshme dhe dëmtimet që kushtëzojnë jo pak sezonin e ekipeve në luftë për mbijetesë, situata mund të konsiderohet serioze. Pushimi i Kombëtares pas datës 10, me siguri që është një lajm i mirë për trajnerët atletikë dhe mjekët e klubeve të Superiores.

sfidanti.al