Milan dhe Interi avancojnë me projektin e tyre për ndërtimin e stadiumit të tyre të ri. Tashmë dosja është gati dhe sipas të përditshmes ‘Corriere Della Sera’ në fillim të muajit maj, projekti do të prezantohet në Bashki, gjë që konfirmon vendimin e dy klubeve milaneze për të lënë San Siron e vjetër.
Në total, punimet për ndërtimin e impiantit të ri që do të ketë një kapacitet, do të zgjasin 6 vjet dhe sipas të përditshmes italiane, stadiumi i ri do të projektohet nga një studio ndërkombëtare arkitektësh. Mësohet se punimet do të bëhen në 3 faza dhe ndërtimi i tij do të bëhet në zonën që në këtë moment është i zënë nga parkingu. Për fazën e parë do të duhen 3 vjet dhe gjatë kësaj kohe Milani dhe Interi do të luajnë ndeshjet e tyre në San Siron e vjetër.
Më pas do të kalohet në fazën e dytë, dmth shembjen e Meazzas për të cilën do të duhen rreth 6 muaj. Në fund do të jetë momenti i krijimit të zonave komerciale dhe parkingjeve të reja, për të cilat do të duhen edhe 2 vjet e 6 muaj të tjerë. Por përpara kësaj, duhet që projekti i Milanit dhe Interit të marrin miratimin nga Bashkia e Milanos me të cilën ato do të duhet të diskutojnë për shembjen e stadiumit të vjetër. Duke qenë se San Siro është në administrimin e këtij institucioni do të duhet të bëhet edhe një dëmshpërblim i përshtatshëm.
sfidanti.al