Fitore 2-0 ndaj Udinezes me penallti të pritur nga portieri shqiptar, dhe Liga e Kampionëve nuk duket më një “mirazh”. Lacio e shfrytëzoi më së miri ndeshjen e prapambetur të Serisë A, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme e duke u ngjitur në kuotën 52 pikë, ende në vendin e 7-të, por vetëm 3 pikë larg Milanit të vendit të katërt.
Felipe Kaisedo në minutën e 21-të dhe autogoli i Sandros në 24’, bënë diferencën në stadiumin “Olimpiko”, veçse vendosi jo pak veprimi i shkëlqyer i Strakoshës që priti penalltinë e gjuajtur nga Rodrigo De Paul në minutën e 52-të. Të mos harrojmë, se portieri i kombëtares shqiptare ka pritur edhe më parë penallti, sidomos mbahet mend ajo në stadiumin e Juventusit ndaj Dibalës, në fitoren e Lacios 2-1 sezonin e kaluar.
Sfidanti.al