Basti i vështirë i Sarrit, a do të realizohet mrekullia në Napoli?!

Nëse bën llogarinë me gishta, kupton se trajneri ka në dispozicion vetëm 15 apo 16 lojtarë. Edhe këta, jo të gjithë kampionë. E tillë është gjendja e Mauricio Sarrit në krye të Napolit, ndërsa nga ai kërkohet dhe shpresohet mrekullia e fitores së titullit. Italianët e Jugut, të njohur si artistë në jetë, shpresohet të jenë sërish artistë edhe në “il calcio”, ashtu si në kohën e Maradonës, Alemaos e Karekës.

Nga Pepe Reina, duke kaluar tek Elseid Hysaj, Kulibali, Mertens, Hamshik, Zhorzhinjo, Kajehon, Insinje apo Zielinski, trajneri napolitan ka shumë më pak “armë” sesa Juventusi. Kolegu i tij, Alegri, përgjigjet me Bufonin, Kielinin, Higuainin, Dibalën, Pjaniçin, Manxhukiçin, Matyidin, Dagllas Kostën, Kedirën, Benatian, Kuadradon, Markizion, Aleks Sandron, Barxalin apo Bernardeskin, pa përmendur gjithë skuadrën.

Kjo është arsyeja që Sarri ka bërë një llogari të ftohtë duke sakrifikuar Kupën e Italisë, Championsin dhe tani edhe Ligën e Europës, duke u përqëndruar vetëm tek një objektiv, tek më i madhi dhe që këtë vit duket më i arritshëm se kurrë. Nuk ka asnjë garanci që Napoli t’ia dalë, pasi Juventusi është ekspert, por edhe vetë fakti që ka tri sezone që pretendon titullin është diçka e madhe.

Sfidanti.al