Nëse do të kishte marrë një këshillë nga Mauricio Sarri, Karlo Ançeloti do të kishte dëgjuar fjalët e thëna dikur nga ish-trajneri i Napolit. “Skuadra partenopea nuk është e ndërtuar për kupat, por për kampionatin”, – tha “llogaritari” në atë kohë. Sezonin e kaluar, Napoli u eleminua shpejt nga Championsi, iku po shpejt nga Liga e Europës dhe nga Kupa e Italisë, për t’u përqëndruar në fitoren e Serisë A, që thuajse e arriti. Finishi me Juventusin ishte më i bukuri në kushedi sesa vjet.
Ançeloti ndoshta mendoi ndryshe, për vetë traditën e tij në Champions. Trajneri i shquar kuptoi më në fund, se Napoli nuk është Milani, Juventusi, Reali, Bajerni apo Paris SG, skuadrat që ka drejtuar më parë. Provinca mbetet provincë, edhe kur bën maksimumin, edhe kur ka në fanelë fytyrën e Maradonës. U desh një “bar” polak, një gol i shënuar në minutën e 91-të nga Arkadiush Milik, që Napoli të fitonte në Kaljari, dhe të mbante me vështirësi diferencën -8 pikë me Juven. Për më tepër, i eleminuar nga Championsi. Duket se Sarri i kishte bërë llogaritë më mirë, vitin e kaluar.
Sfidanti.al