Një skuadër e Murinjos kurrë nuk të luajë si Liverpuli i Klopit

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, besohet, që Mançester Junajtid t’i nënshktrohej një “bombardimi” të vërtetë, si ai që provoi në “Anfild”. Liverpuli i Jurgen Klopit shënoi vërtet dy gola me fat, por dominoi kaq shumë saqë suksesi 3-1 duket tepër i vogël.

Plot 36 gjuajtje drejt portës së David De Geas, ishin shifra më e madhe e “grushtave” që Junajtidi kishte marrë nga një kundërshtar, të paktën që nga sezoni 2003-2004, kur hyri në përdorim sistemi i statistikave të ndeshjeve. Nga këto, 11 ishin në kuadrat, ndërsa shifrat e miqve ishin 6 gjuajtje, dhe 2 në kuadrat (një prej të cilave e falur nga portieri i Liverpulit, Alison).

Të kuqtë mbajtën topin 64 për qind, patën 13 goditje nga këndi, ndaj 2 të Junajtidit dhe bënë gjithçka më mirë sesa rivali. Edhe vetë Murinjo u detyrua të pranonte pas ndeshjes se “Liverpuli ishte më i fortë, më i shpejtë, më i mirë”. Klopi tha se “jam në qiellin e shtatë për lojën e ekipit”, ndërsa nuk u ndje lodhja e derbit ndaj Evertonit dhe e supersfidës ndaj Napolit në Champions.

Xherdan Shaqiri u bë i dyti lojtar i Liverpulit që shënon 2 gola ndaj Junajtidit, që nga Najxhel Klaf në 1994. BBC shkruante se “fitorja ishte tërësisht e merituar”. “Deili Meil”  komentoi se “Mançester Junajtid është i shkatërruar, u fshi nga një Liverpul që luajti një futboll që kurrë nuk do ta luajë një skuadër e Murinjos”.

Sfidanti.al