Bota e fitnesit dhe bodybuilding-ut është në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të sportistes dhe influencueses skoceze Alix Small, e cila u shua në moshën vetëm 26-vjeçare. Small, me origjinë nga Forfar i Skocisë, ndërroi jetë më 8 nëntor. Lajmi i trishtë u bë publik nga nëna e saj, Karen Small, si dhe nga persona të afërt me sportisten. Ndërkohë, shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur. Alix Small ishte një emër i njohur në botën e bodybuilding-ut, ku arriti të ndërtojë një karrierë të rëndësishme, pavarësisht vështirësive të mëdha që kishte kaluar në jetën e saj personale. Historia e saj kishte nisur me një betejë të vështirë kundër anoreksisë. Në moshën 15-vjeçare, ajo u përball me këtë çrregullim të të ushqyerit, duke arritur në një peshë prej rreth 32 kilogramësh. Megjithatë, më vonë gjeti te bodybuilding-u një rrugë për të rindërtuar jetën dhe marrëdhënien me trupin e saj. Në një intervistë për STV News në vitin 2021, Small kishte treguar se ky sport e kishte ndihmuar të përqendrohej te forca dhe performanca, përtej pamjes fizike.

