Nga gafat e portierëve tek ato të VAR-it, futbolli “tërbon” Anglinë!

Shpesh herë njeriu pyet veten sesi mund të ndodhin këto gjëra! Natyrisht, edhe portierët në futboll janë njerëz që mund të gabojnë, veçse gafat e tyre kanë pasoja më të rënda se të të tjerëve, dhe kështu u ndodhi dy emrave të shquar si Alison Beker dhe David De Gea. Portierët, përkatësisht të Liverpulit dhe Mançester Junajtidit, u treguan amatorë të vërtetë të paktën në nga një rast, duke dëmtuar ekipet në Kupën e Anglisë. Alisoni ia dhuroi vetë topin lojtarit të Uolvesit në “Anfild”, madje fare pa shkak apo presion. Tifozët u hodhën me tallje në rrjetet sociale, duke bërë shaka se braziliani u vu në sedër dhe mori shembull nga kolegu i tij spanjoll. Një gabim që e rëndon edhe më shumë gjendjen e Liverpulit, që ndodhet në krizë të vërtetë këtë sezon në Angli, dhe që duhet të luajë një ndeshje të dytë në Kupë, në kërkim të kualifikimit, pasi dueli përfundoi 2-2.

Edhe gafa e De Geas nuk ishte aspak e vogël. Portieri i Junajtidit dështoi në leximin e aksionit të Evertonit në “Old Traford”. Gabimi i spanjollit solli reagimin e ashpër të ish-kapitenit të Mançester Junajtidit, Roi Kin, sot në rolin e opinionistit. “Ai u duk se kishte pirë disa gota, – tha irlandezi, – u duk si bllokim i trurit, pasi nuk dinte nëse duhej ta kontrollonte topin, apo ta largonte!” Për fatin e tij, “djajtë e kuq” janë në formë dhe nuk e patën shumë problem ta fitonin ndeshjen. Gjithsesi, komentet dhe polemikat në Angli nuk mbarojnë me gafat e portierëve. Në Liverpul-Uolves, miqve iu hoq në mënyrë të pabesueshme goli për fitoren 3-2, duke e cilësuar atë si pozicion jashtë loje. Mediat angleze shkruajnë të habitura se goli i miqve u anulua sepse VAR-i nuk kishte një kamera në këndin e duhur që mund të kishte nxjerrë të vërtetën!

Sfidanti.al