Ora 11:00 e ditës së parë të javës do ta gjejë në Tiranë. Silvinjo prezatohet këtë të hënë si trajner i kombëtares shqiptare, e në krah do të ketë përveç presidentit Armand Duka, edhe paraardhësin e tij, Edi Reja. Italiani do të vijë t’i bëjë dorëzimet brazilianit, siç thuhet në raste të tilla, ndërsa shqetësimi i teknikut të ri padyshim që duhet të jetë i madh. Kjo për vetë gjendjen në të cilën e gjen ekipin përfaqësues. Duke nisur nga porta, situata është alarmante sepse Tomas Strakosha luajti këtë të shtunë vetëm ndeshjen e parë të sezonit, dhe Etrit Berisha ende nuk e ka bërë sefte.
Duke kaluar tek mbrojtja, realiteti nuk është shumë më i mirë. Berat Gjimshiti, më i miri i kombëtares në repartin difensiv mbetet në stol tek Atalanta, ndërsa trajneri Gasperini nuk e ka pritur mirë faktin që ai mund të transferohet tek Monza. Shpresa është që kjo të ndodhë. Marash Kumbulla ka humbur plotësisht tek Roma, dhe mbahet mend vetëm për ndonjë gol e kontribut në fazën përgatitore. Elseid Hysaj është kthyer në lojtar stoli, dhe përveç kapitenit dobët me minutazh janë Dermaku , Veseli apo Lenjani. i vetmi që mbahet mirë është Ardian Ismajli i Empolit, që po aktivizohet rregullisht në Serinë A. Natyrisht, nuk mund të harrojmë Ivan Balliun që po shkëlqen në La Ligën e Spanjës me Rajo Vajekanon.
Në mesfushë, tronditja vjen nga dëmtimi i Keidi Bares, njërit prej më të mirëve të repartit, që ka mbyllur sezonin në La Ligën e Spanjës me Espanjolin. Kristjan Asllani po luan me pikatore tek Interi, Endri Çekiçi e Gjasula sapo janë kthyer nga dëmtimet, ndërsa Nedim Bajrami po ashtu më shumë është në stol tek Empoli në Itali sesa në fushë. Qazim Laçi sapo kaloi tek Sparta e Pragës pasi nuk kishte minuta në Francë tek Azhasio, ndërsa Amir Abrashi sërish ka qenë me probleme fizike.
Lajmi më i keq për sulmin është që nuk do të ketë deri në fund të sezonit Armando Brojën, atë që mund të quhet numri 1 në këtë rol. Sulmuesi pësoi dëmtim të rëndë në miqësoren me Aston Vilën dhe u operua, e po ashtu Rej Manaj është jashtë tek Uatfordi. Shpresa e vetme që mbetet në sulm është Myrto Uzuni, ndërsa Cikalleshi e ka ulur nivelin duke shkuar në Arabi, ndërsa më pak besim të japin Muçi apo Vrioni, ndërsa Taulant Seferi të paktën ka shënuar 4 gola këtë sezon në Premier Ligën e Ukrainës.
Sfidanti.al