Gabimi ishte i arbitrit dhe ishte i rëndë. Kjo u pohua edhe nga mediat italiane e pritet një ndëshkim për gjyqtarin Saki, ndonëse kjo nuk e zhbën rezultatin 2-2 që Interi pati në fushën e Monzës. Trajneri Simone Inzagi, pohoi pas ndeshjes se “zhgënjimi ishte i madh për të gjithë, sepse pas një ndeshjeje shumë të mirë, na u anuluar një gol pa asnjë arsye, një gol që na hoqi fitoren nga duart, dhe kjo ndodhi 5 vjet pas futjes në funksionim të VAR-it”.
Mediat italiane shkruajnë se lombardët e kanë tani tepër të vështirë për të menduar për titullin, ndërsa u shpërdorua fitorja e madhe ndaj Napolit pak ditë më parë. “Furi e Interit, lamtumirë ëndrrave, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juventusi të shtie frikën, me fitoren e 8-të radhazi”. “Interi ngec në Monzë, Inzagi flet për anulim të golit të rregullt, – shkruan “Il Korriere delo Sporti” që bën lojë fjalësh për Juventusin dhe trajnerin Alegri: Maksi që mundet, që mund të interpretohet edhe Maksimumi që mund të bëhet”.
Me të vërtetë, ndërsa Interi mbetet prapa, Juventusi vazhdon ngjitjen me fitoren 1-0 në Torino ndaj Udinezes, falë golit në fund të Danilos. Ishte suksesi i tetë radhazi në Serinë A, sërish pa pësuar gol, dhe që e mban “Zonjën e Vjetër” pranë kreut të renditjes që e ka Napoli.
Sfidanti.al