Nedim Bajrami është “margaritari i fjetur” i Empolit!

Në fushë hyri shumë vonë, kur kishin mbetur diçka më pak se 15 minuta deri në përfundim, ndërsa ekipi i tij po shkonte drejt humbjes së sigurt në “Olimpiko” ndaj Lacios. E tillë përballja e Serisë A për Empolin, ndërsa trajneri Zaneti më në fund u bind që të aktivizonte shqiptarin. Nedim Bajrami shkeli tapetin kryeqytetas në 76’ dhe ndikimi i këmbëve të tij të talentuara u ndje menjëherë. Ndërsa Ardian Ismajli shpëtoi Empolin nga goli i tretë duke bllokuar gjuajtjen e Milinkoviç-Saviçit, Bajrami nisi “recitalin” e tij. Në 83’, një pasim i tij prej Mesi, që nga pranë zonës së rreptësisë toskane, çau krejt organizimin mbrojtës të Lacios, dhe nxorri dy lojtarë të Empolit në epërsi numerike. Kambiagi pasoi për Kaputon që shkurtoi diferencën në 1-2. Në sekondat e fundit, Bajrami dribloi Pedron duke ia kaluar topin mes këmbëve dhe pasoi në zonë, ndërsa nga rrëmuja që pasoi Razvan Marin barazoi në 2-2. Për Lacion, në pjesën e dytë u aktivizua Hysaj, por për të pati kritika.

Sfidanti.al