Tyson Fury ka zbuluar se është diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullim bipolar, pas triumfit të madh ndaj Wladimir Klitschkos në vitin 2015. Boksieri britanik ka rrëfyer për herë të parë detaje nga periudha më e errët e jetës së tij, duke treguar se dëgjonte zëra në kokë që e kërcënonin atë dhe familjen e tij. Në një dokumentar të ri të Netflix, që do të publikohet të premten, Fury dhe bashkëshortja e tij, Paris, tregojnë vështirësitë e mëdha psikologjike me të cilat u përball kampioni i peshave të rënda pas suksesit ndaj Klitschkos. Boksieri 38-vjeçar kujton se në qershor të vitit 2016 përfundoi në spital, pasi dyshohej se kishte pësuar një atak në zemër. Mjekët konstatuan se bëhej fjalë për një krizë ankthi, ndërsa më pas ai iu drejtua një psikiatreje në Londër.
“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në ferr. Mendoja se do të përfundoja në një dhomë të izoluar, me dyer të mbyllura, dhe kjo më frikësonte jashtëzakonisht shumë. Ankthi po më shkatërronte dhe nuk arrija ta përballoja”, rrëfen Fury.
Ai tregon se gjatë asaj periudhe dëgjonte zëra edhe kur përpiqej të zhvillonte një bisedë normale. Në disa raste, ishte bindur se radioja po komunikonte drejtpërdrejt me të, ndërsa në spital i kërkonte bashkëshortes ta largonte, pasi besonte se organizata sekrete Illuminati po e ndiqte.
Pas fitores ndaj Klitschkos, jeta e tij mori një drejtim krejt tjetër. Fury shtoi ndjeshëm në peshë dhe u përball me varësinë nga alkooli dhe drogat, ndërsa problemet psikologjike e shoqëruan për vite me radhë. Një pikë kthese erdhi në vitin 2017, gjatë një mbrëmjeje të Halloween-it. Duke parë pamjen e tij dhe të rinjtë që e rrethonin, Fury kuptoi se kishte humbur kontrollin mbi jetën.
“Isha një rrëmujë e madhe, i shëndoshë dhe i varur nga alkooli. Kisha pasur gjithë botën në duart e mia dhe e hodha gjithçka poshtë”, kujton ai.
Sipas rrëfimit të tij, pikërisht atëherë nisi procesi i rikthimit, duke u përqendruar më shumë te familja dhe duke iu rikthyer stërvitjes. Përpjekjet u shpërblyen në vitin 2020, kur mposhti Deontay Wilder dhe fitoi sërish titullin kampion bote. Tashmë, Fury po përgatitet për një tjetër sfidë të madhe, përballjen shumë të pritur me britanikun Anthony Joshua, e programuar më 11 dhjetor në Cardiff. Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix.

