Strakosha, Dobra dhe Kamberi, Kupa e Anglisë “foli shqip” këtë fundjavë!

Ishte një raund pozitiv për tanët. E tillë Kupa e Anglisë në xhiron e saj të tretë, ku tre lojtarë shqiptarë ishin titullarë dhe madje u dalluan, edhe pse asnjëri prej tyre nuk doli fitues nga fusha e lojës. Portieri i kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, pati më në fund rastin e parë këtë sezon për të qenë që nga minuta e parë, ndërsa mungesa e futbollit aktiv u ndje. Ish-gardiani i Lacios pati besimin e trajnerit tek Brentfordi në duelin shtëpiak kundër Uest Hemit, të cilin miqtë e fituan 1-0. Strakosha nuk pati shumë rast për të treguar veten, ndërsa mund të konsiderohet fajtor për golin e pësuar, edhe pse arsye për ta mbrojtur mund të gjenden. Për muaj të tërë ka qenë në stol.

I shkëlqyer Armando Dobra dhe mëkat që një lojtar i tillë luan në nivelin e pestë në Angli. Ish-sulmuesi i Shqipërisë U21, realizoi dy gola në ndeshjen e Çestërfildit, po në shtëpi, ndaj Uest Bromit. Futbollisti 21-vjeçar realizoi në pjesën e parë duke ndihmuar Çestërfildin të përmbyste rezultatin 1-2 në avantazhin e përkohshëm 3-2, ndonëse sfida përfundoi 3-3. Do të luhet ndeshja tjetër, këtë herë në fushën e Uest Bromit,  dërsa Dobra ka 4 rrjeta deri tani në garën më të vjetër të futbollit në botë.

Gol në Kupën e Anglisë edhe për një shqiptar tjetër. Florian Kamberi shënoi emrin në listën e shënuesve në sfidën që ekipi i tij, Hadërslfildi, e humbi 1-3 në fushën e Prestonit. Ish-sulmuesi i kombëtares madje kaloi të vetët në epërsi në nisje të pjesës së dytë, edhe pse goli i vlejti vetëm në aspektin personal.

Sfidanti.al