Sot, mbrojtja bavareze ka në përbërjen e saj 3 nga lojtarët që ishin në formacionin e famshëm të “heshtarëve” në sezonin 2018-2019. Atë edicion Ajaksi arriti deri në gjysmëfinale të Championsit dhe u eliminua vetëm në fund nga Totenhemi, ndërsa fitoi titullin e kupën në Holandë. Kanë kaluar 3 vjet e gjysmë dhe Matijs De Ligt, Nusair Mazraui dhe Dejli Blind kanë veshur tashmë fanelën e Bajernit, madje me bavarezët është edhe i riu Rajan Gravenberh, që në atë kohë ishte 16 vjeç. Gjithsesi, lidhja e dy klubeve është më e vjetër dhe më domethënëse se kaq. Të dy kanë qenë nga ata që janë drejtuar në mënyrë shembullore nga ana financiare, dhe kanë arritur suksesin ndryshe nga gjigandët e Spanjës, Italisë apo edhe të Anglisë. Kanë fituar Championsin shpesh, Bajerni 6 herë dhe Ajaksi 4, ndërsa janë rekordmenë të titujve përkatësisht në Gjermani e Holandë. Për më tepër, kanë edhe një lidhje hebraike, pasi Ajaksi ndodhet pranë lagjes së hebrejve në Amsterdam dhe është identifikuar jo pak me të, ndërsa klubi në Mynih është themeluar pikërisht nga dy hebrej.
Sfidanti.al