“Bajerni është një ekip i rrezikshëm, kështu që përpara kemi dy ndeshje të vështira”, tha, menjëherë mbas hedhjes së shortit në Nion të Zvicrës për fazën gjysmëfinale të Champions-it, drejtori i Realit të Madrdit, Emilio Butragenjo, që, megjithatë, shprehu besimin se klubi “mbretëror” do të mund të arrijë deri te finalja e tretë radhazi në konkurrimin më elitar evropian. Ai tha se ka besim tek ekipi i tij, por se, sidoqoftë, Reali nuk pati fat gjatë këtij sezoni me shortin. Në çerekfinale, Realit iu desh të luante dhe të eliminonte ekipin më me shumë trofe në Itali, kurse tani, në gjysmëfinale do të ketë përballë ekipin më me shumë trofe në Gjermani.
“Është mjaft e vështirë që të arrish deri në këtë fazë të Ligës së Kampioneve, kurse ne e bëjmë këtë për herë të tetë radhazi. Bajerni është një ekip i shkëlqyer dhe ne duhet të japim më të mirën nga vetja që të shkojmë në finale. Shpresoj te një rezultat i mirë në ndeshjen e parë që të mund të na japë avantazh para ndeshjes në ‘Bernabe’. Këtë vit, shorti u tregua i pamëshirshëm me neve, sikur na futi në ‘ferr’. Në fillim, PSZH-ja, më pas, Juventusi, kurse tani Bajerni”, vuri në dukje Butragenjo.
Sfidanti.al