Lebroni mund të thyejë rekordin e Brajantit, në qytetin e tij të lindjes!

Është vetëm 17 pikë larg podiumit në renditjen e shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në NBA. Lebron Xhejms ndoshta mund ta kalojë Kobi Brajantin në ndeshjen e radhës dhe të ngjitet në vendin e tretë pas Karl Malounit dhe Karim Abdul Xhabarit, dhe kjo mund të ndodhë në një vend simbolik. Dueli i radhës i Lejkërsave është në Filadelfia, pikërisht në qytetin e lindjes së Brajantit, pesë herë kampion i NBA-së.

Lebroni vazhdoi “marshimin” e tij këtë sezon, duke qenë sërish një nga lojtarët më të mirë, e duke realizuar tripëll dabëllin e 91-të në karrierë. Në fushën e Netsave, në Bruklin, ai shënoi 27 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, duke pasur nga 1 vjedhje topi, bllokim gjuajtjeje, dhe gjuajtje të bllokuar. Shumë mirë për 33 minuta lojë, ndërsa në krah tij ishte Entoni Dejvis me 16 pikë e 12 topa në tabela në vetëm 27 minuta. Lejkërsat fituan ndaj Bruklinit 128-113, sidomos falë një pjese të katërt mjaft të mirë.

“Është shumë gjë e bukur kur unë krahasohem me të mëdhenj të basketbollit, – tha Xhejmsi më pas, – është gjë e bukur kur përmendem që jam si ata. Por, përsa i përket shënimit të pikëve, nuk di të them, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për mua. Kryesore është të fitoj, dhe të luaj mirë në total, të jem lojtar i kompletuar”. Lebroni ka 33 626 pikë në NBA ndaj 33 643 të Kobi Brajantit.

Sfidanti.al