Mançester Junajtidi e di se duhet të marrë si trajner Poçetinon!

Tabloidët britanikë gjetën se me çfarë të talleshin këtë mesjavë, pas humbjes së radhës së “djajve të kuq”. Ata botuan foto të lojtarëve duke shkuar në një seancë banjoje dhe masazhes, dhe theksuan kontrastin mes paraqitjes së tyre për t’u harruar, me kujdesin që tregon klubi për ta. Pas kësaj talljeje, ata u kthyen tek çështja e trajnerit dhe “Deili Meil” gjeti subjektin e “përrallës”: “Mançester Junajtid e di se cilin trajner duhet të emërojë, – shkruajti tabloidi, – klubi duhet të zëvendësojë Ole Gunar Solskjerin me Maurisio Poçetinon”.

Argjentinasi është i lirë, që kur u largua nga Totenhemi, dhe nuk u afrua as tek Bajerni dhe as tek Arsenali. Me gjasë, ose gjatë këtij sezoni, ose në verë, Poçetino mund të jetë i disponueshëm. “Deili Meil” nuk harron të kujtojë një pasdite të viti 2016, kur argjentinasi u ul për një gotë verë me Sër Aleks Fergusonin, ndërsa i pranishëm ishte edhe ndihmësi i tij Zhezus Perez. “Unë dhe Sër Aleksi biseduam, ndërsa Zhezusi piu verën”, – tha me shaka Poçetino në atë kohë. Vetë Fergusoni u shpreh ato ditë se “Poçetino është trajneri më i mirë në Premier Ligë tani për tani”.

Nuk dihet se çfarë do të bëjë zv. shefi ekzekutiv, Ed Uduord, tepër i kritikuar nga tifozët, dhe që ka shpenzuar 750 milionë paundë stërlina që kur erdhi në detyrë, pa mund të fitojë asnjë titull. Uduord është në rregull me biznesin, pasi aksionet e Junajtidit kanë arritur në 20 USD “copa” nga 15.34 USD në tetor, por atmosfera në “Old Traford” është prej funerali.

Sfidanti.al