Kupa AUDI nuk është ndonjë titull i madh, mjafton ta quash trofe të verës, por për Totenhem Hotspurin do të mbahet mend gjatë. Në pritje të sukseseve më të mëdha, si në Premier Ligë, Kupën e Anglisë, Kupën e Ligës, Champions apo Ligën e Europës, skuadra londineze mund të ngushëllohet që fitoi kupën e parë që nga viti 2008. Atëbotë, skuadra e drejtuar nga trajneri spanjoll Huande Ramos mundi 2-1 Çelsin në finalen e Kupës së Ligës në “Uembli”, duke pasur në formacion Berbatovin, Robi Kinin, Ledli Kingun apo Xhonatan Udgejtin.
Këtë herë, Kupa AUDI u fitua në finalen ndaj Bajernit në stadiumin “Alianc Arena”, pas gjuajtjes së penalltive. Erik Lamela dhe Kristian Eriksen shënuan për londinezët, por Arp dhe Dejvis barazuan për bavarezët, dhe trofeu u vendos nga penalltitë, ku vendasit humbën dy, ndërsa miqtë asnjë. Gjithsesi, trajneri Poçetino vazhdon të jetë i shqetësuar, për mungesën e blerjeve, aq sa pak ditë më parë u detyrua të deklaronte publikisht se “unë jam vetëm trajner, jo menaxher”, duke nënkuptuar se ishte faji i klubit që nuk po e ndihmonte.
Sfidanti.al