Kavani-Ikardi, Marota si do ta zgjidhësh “lëmshin” e Interit

“Dy JO që bëjnë keq”. Ky ishte titulli i ditës i “La Gazeta delo Sportit”, dhe i ishte dedikuar telasheve të Interit. Edhe me trajnerin Antonio Konte, edhe me drejtuesin e shkëlqyer ish-juventin Marota, sërish zikaltërit nuk po ia dalin me objektivat e tyre. Dy “JO” erdhën nga Edinson Kavani dhe Mauro Ikardi, pasi sulmuesi uruguajan deklaroi se do të mbetej tek Paris SG, ndërsa ai argjentinas tha prerë se “nëse nuk shkoj tek Juventusi, qendroj tek Interi”.

Klubi milanez mërzitet edhe kur dikush i refuzon, edhe kur një tjetër pranon të rrijë me ta, pasi e tillë është gjendja. Romelu Lukaku tashmë quhet lojtar i Juventusit, në një tjetër derbi të humbur me “Zonjën”, dhe kjo sepse Interi nuk ka as financat dhe as lojtarët e duhur për t’ia ofruar Mançester Junajtidit. Kavani pëlqen PSG-në, sepse ndoshta di ndonjë gjë për Nejmarin, ose sepse është i përshtatur mirë dhe nuk dëshiron të provojë të papritura në Serinë A.

Së fundi, Ikardi. Ish-kapiteni e di se Interi nuk ka shumë kohë në dispozicion dhe se dënimet në futboll, shpesh kthehen në “fletë lavdërimi”. Në një situatë tepër të vështirë, zikaltërit mund të kthehen tek ai, dhe kjo do të ishte një fitore e familjes, pra e Mauros dhe Uanda Narës.

Sfidanti.al