Natyrisht, ai nuk u ndodh në Shqipëri, ku kryeministri e thotë si lajm festiv që “nuk ka sindikata”. David Trezege pati përballë punonjës policie të Italisë, një vendi ku njeriu i thjeshtë nuk është aq i paorganizuar dhe aq i pambrojtur si në vende si ky i joni. Lajmi tani dihet, ish-ylli i Juventusit dhe i Francës, u ndalua nga policia ndërsa drejtonte makinën me përqindje alkooli në gjak më të larta sesa norma e lejuar.
Ajo që bën më shumë përshtypje nuk është kundërshtimi i tij ndaj agjentëve të sigurisë, kjo mund t’i ndodhë çdo të riu paksa “garip”, aq më shumë çakërqejf nga pija. As kërkesa që ta bënte testin pas një ore, a thua se forcat e rendit ishin rojet e tij private dhe në dispozicion të tij. Turpi i Trezegesë është sjellja e tij përbuzëse ndaj policëve si njerëz që nuk meritojnë respekt (sipas tij) sepse kanë të ardhura relativisht të ulëta.
“Njerëz të dështuar, nuk fitoni as 2 000 euro (në muaj)”, – ishin fjalët e pacipa që dolën nga goja e tij. Me këto fjalë, Trezege nuk është rast edhe aq i veçuar, por prototipi i futbollistit profesionist të elitës, milioner sepse di të godasë mirë topin me këmbë dhe me kokë (çfarë kontributi për përparimin e shoqërisë!!!), dhe që paratë i fiton vetëm sepse njerëzit e thjeshtë paguajnë për të parë lojën e tij. Natyrisht, ata paguajnë, por jo që të ofendohen nga birbo si David Trezegeja.
Sfidanti.al