Vjen gjithnjë një moment, që quhet “i së vërtetës”. Asnjë marrëdhënie serioze, asnjë lidhje e fortë nuk mund të krijohet nëse nuk ekziston bindja se po bën gjënë e duhur. Pep Guardiola e di këtë, e di se Mançester Siti do të shkatërrohej në momentin që vendimet do të zvarriteshin dhe pasiguria do të mbretëronte, ndaj edhe tha fjalët e duhura për Leroi Sanenë. “Djali im, – tha katalanasi, – unë dua që të kem pranë vetes njerëz të lumtur. Nëse nuk je i lumtur, je i lirë të largohesh”.
Duket se mundësia për të luajtur në Gjermaninë e tij, tek Bajerni i madh, paska bërë vend në mendjen e yllit të kombëtares “teutonike”, dhe Sane duket se po lëkundet. Natyrisht, Pep është i qartë edhe në aspektet e tjera: Sane nuk mund të largohet pa u paguar 90 milionë paundë stërlina, apo rreth 100 milionë euro, ndërsa i kanë mbetur edhe 2 vjet në kontratë. Pra, o tani, o kurrë. Nëse nuk rinovohet kontrata tani, 23-vjeçari do të shkojë padyshim tek Bajerni, nëse ndodh e kundërta, do të vazhdojë në “Etihad”. Mundësitë më të mëdha janë që Leroi Sane të mbetet në Premier Ligë, tek Mançester Siti.
Sfidanti.al