Fjalët e para ishin si një lloj “konsumi i brendshëm”, më shumë për tifozët që të mbanin moralin të lartë. Kapiteni i Bajernit, Manuel Nojer, gjeti mënyrën sesi të lavdëronte klubin edhe pse vera po kalon dhe asnjë goditje e madhe nuk është bërë, me përjashtim të atyre që diheshin më parë si Lukas Hernandez apo Pavar. “Unë kam besim të plotë tek drejtuesit, – tha portieri, i intervistuar ndërsa ndodhet në SHBA me skuadrën, – ata e dinë punën e tyre, dhe jam i bindur se do të kemi një skuadër të fortë. Jo më kot, drejtori ynë sportiv (Salihamixhiç) nuk erdhi në Amerikë, por qendroi në shtëpi. Le të presim, sepse nuk jemi në shtator”.
Gjithsesi, mediat kanë shkruar se vetë Nojer është shprehur i mërzitur me punën e drejtuesve dhe ka paralajmëruar edhe largimin. “Natyrisht, unë e kam mendimin tim, – pohoi ai, – veçse, unë di se ku ta them. Po ashtu edhe agjenti im. Ne nuk jemi nga ata që flasim në media për këto gjëra, pasi kjo është çështje e brendshme, jo publike”. Pra, Bajern nxito të forcosh skuadrën, sepse kapiteni edhe mund të largohet!
Sfidanti.al