As Erdogani nuk mund ta shpëtojë sot legjendën Fenerbahçe

Nuk mund të harrohet një telefonatë e gjatë dhe e stuhishme e Rexhep Taip Erdoganit me Mishel Platininë, atëherë president i UEFA-s për fatin e Fenerbahçes. Vetë presidenti i fuqishëm i Turqisë ndëhyri fort që klubi i “Bahçes me Drita” të mos merrte një ndëshkim shembullor për shkeljet që kishte bërë në kupat e Europës. Rezultoi një përjashtim dyvjeçar, më pak sesa mendohej, por ai ishte fillimi i fundit për gjigandin e Bosforit.

Sot, pesë vjet më vonë, Feneri është një legjendë, për momentin, “e vdekur”. Presidenti Ali Koxh deklaroi se borxhet kanë arritur në gati 600 milionë euro, një shifër e frikshme për çdo klub të madh në Angli, Spanjë apo Itali, jo më në Turqi, ku financat sidoqoftë janë më të dobëta.

Erdogani ka premtuar ndihmë, duke qenë vetë tifoz me “kanarinat” e Stambollit, aq më tepër që edhe klube të tjerë të Superligës së Turqisë kanë borxhe. Mediat turke dhe gjermane shkruajnë se presidenti ka premtuar një hua me kushte lehtësuese prej 1.5 miliardë eurosh, para që do të jepen nga banka më e madhe e vendit.

Sidoqoftë, derisa kredia të bëjë punë, duhet shpëtuar sezoni, pasi Fenerbahçe është dy pikë mbi vendin e fundit, fare pranë zonës së rrezikshme. Ky klub nuk është rrëzuar kurrë nga elita, por në Angli të kujtojnë Mançester Junajtidin që zbriti në kategorinë e dytë në 1974, vetëm 6 vjet pasi fitoi Kupën e Kampionëve me Bobi Çarltonin e Xhorxh Bestin.

Sfidanti.al