Luftëtari luan seriozisht, Partizanit i rrezikohet titulli në Gjirokastër!

Besohet se as në fitoren në Korçë, ku u shënuan 5 gola, nuk u lodhën kaq shumë. Futbollistët e Luftëtarit dhanë shpirtin në fushë ndaj Partizanit, duke marrë një barazim të merituar, ndërsa një klub që nuk kishte para për rrogat, ia doli të ofronte 15 000 euro shpërblim.

Rezultati 1-1 do të thotë që gjirokastritët të marrin një pikë që vlen shumë për mbijetesën në Superligë, dhe që kryeqytetasit të humbasin dy pikë që mund t’u kushtojnë shtrenjtë në garën për titull.

Ndalesa në Gjirokastër dhe fitorja e Kukësit ndaj Kastriotit, do të thotë që skuadra e trajnerit Cungu të jetë tani vetëm 3 pikë larg asaj të trajnerit Gega.

Partizani e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi i pari në avantazh, në minutën e 36-të me anë të Esat Malës, pas topit të Jurgen Bardhit. Të kuqtë vazhduan të kishin epërsi deri në pushim, por pa shënuar gol tjetër.

Pas pushimit, shumëçka ndryshoi dhe Luftëtari hyri në fushë me mendje tjetër. Barazoi shpejt dhe madje mund të kishte fituar, gjë që nuk e bëri dot, pra nuk i mori 15 000 eurot shpërblim.

Skuadra mike u godit edhe nga një episod tjetër, kur kapiteni i saj, Alban Hoxha, u përplas rrezikshëm me shënuesin e golit, Ymerajn, dhe u dëmtua seriozisht. Portieri i Partizanit doli nga fusha me krah të lidhur dhe u dërgua në spital për kontroll mjekësor.

Në ndeshjen tjetër të Superligës, luajtur në të njëjtën, orë, Kukësi fitoi lehtë me Kastriotin e vendit të fundit, 2-0. Golat për veriorët u shënuan nga Limaj dhe Rexhinaldo. Me këtë fitore, Kukësi u ngjit në vend të dytë me 34 pikë, ndërsa Partizani ishte shpallur që më parë kampion i dimrit, duke mbyllur vitin me 37 pikë.

Sfidanti.al