Pa Nejmarin e Mbapenë? Pa problem, PSG nuk pyet as për skedinat!

Në fushë nuk ishin as Nejmar dhe as Kilian Mbape, padyshim dy lojtarët më të talentuar dhe të cilësuar si më të mirët e skuadrës dhe të kampionatit francez. Paris SG, sërish, nuk e pati problem të arrinte një fitore çarmatosëse ndaj një rivali me shumë emër, edhe pse sot “të rënë nga vakti”, si Sent Etieni.

“Të gjelbërit”, 10 herë kampionë të Francës, u dominuan në “Park dë Prensis” nga një skuadër që kërkon t’i përngjajë, ndërsa deri tani e ka fituar 7 herë Ligën e Parë. Me Bufonin në stol dhe Areolën në portë, PSG pati në fushë Julian Drakslerin, shënuesin e golit të parë, Edinson Kavanin, realizuesin e të dytit, si dhe Angel Di Marinë e Musa Diabinë (si zëvendësues), edhe këta autorë rrjetash.

Skuadra e trajnerit Tomas Tuhel kryeson kampionatin me 15 pikë të plota, pra me 5 fitore në 5 ndeshje, dhe me golaverazhin 17-4. Në kundërshtim me “teoritë konspirative”, PSG nuk po pengohet aspak nga kompanitë e basteve që të fitojë ndeshjet radhazi dhe titujt radhazi. Kryeqytetasit kanë 5 trofe të fituar në 6 vitet e fundit dhe synojnë të gjashtin.

Sfidanti.al