Po e kërkojnë me “qiri në dorë” një anti-Bajern, madje më shumë sesa një anti-Juventus në Itali, çështje më urgjente sesa ajo e anti-PSG-së në Francë. Publiku sportiv gjerman ndoshta duhet të ketë më shumë shpresë, pas 5-6 vitesh dominim absolut të bavarezëve, pasi një “feniks” po rilind nga “hiri”.
Borusia e Dortmundit, “hirushja” e dikurshme e Jurgen Klopit, ka rënë tashmë në duart e një tjetër mjeshtri, Lysien Favrit. Zvicerani, me etni franceze, e udhëhoqi ekipin verdhezi në fitoren e dytë në tri ndeshje të Bundesligës, duke mundur 3-1 në “Signal Iduna Park”, Ajntrahtin e Frankfurtit.
Mario Gëce, ashtu siç ishte parashikuar, u la në stol, por skuadrës i mjaftoi kapiteni dhe talenti i kombëtares, Marko Rojs, për ta drejtuar në fushën e lojës. Diallo, Volf dhe Pako Alkaser i ardhur nga Barcelona, ishin autorët e golave, ndërsa bie në sy mosha relativisht e re e Dortmundit.
Favre pati në terren një ekip me 6 lojtarë të moshës nga 10 deri 24 vjeç si Akanji, Diallo, Dahud, Volf, Larsen e Filip. Trajneri hodhi në fushë një 18-vjeçar (Sançon), ndërsa në stol ishin ulur dy 19-vjeçarë si Hakimi dhe Zagadu. Nëse nuk do të ketë “vjedhje” nga ana e Bajernit, ky Dortmund mund ta bëjë Bundesligën më të bukur.
Sfidanti.al