Mbapeja, një adoleshent “botëror”, si Pele dhe Bergomi

Do të jetë pak më i madh se këta të dy, por do të jetë adoleshenti i tretë që do të luajë në një finale të Kupës së Botës. Edhe pse e diela nuk ka ardhur ende, dhe mund të ketë ndonjë të papritur për dëmtim apo sëmundje (urojmë që jo), Kilian Mbape me shumë gjasë do të jetë në krah të Pelesë dhe Bergomit për këtë arritje të veçantë.

Francezi është 19 vjeç dhe skuadra e tij kombëtare është në finalen e Moskës ndaj Kroacisë. Pele e shkroi historinë i pari në 1958 në finalen ndaj Suedisë, duke shënuar dy gola, dhe duke mbetur edhe sot e kësaj dite i vetmi 17-vjeçar në një ndeshje fundore botërore. Xhuzepe Bergomi do të jetë sërish i dyti më i ri, pasi luajti 18 vjeç në finalen e Botërorit 1982 ndaj Gjermanisë Perëndimore. Mbetet të shihet edhe diçka tjetër, pra nëse Mbape do të shpallet kampion i botës, ashtu siç ndodhi me Pelenë e Brazilit dhe Bergomin e Italisë.

Sfidanti.al