E qartë që këta paskan kaq shumë pushtet. E kuptueshme plotësisht se joshja e cirkut më të madh të botës që quhet futboll, është kaq e madhe saqë vështirë të refuzohet. Trajnerët, ata që shpesh quhen “arkitektët” e suksesit, flaken shpesh pa respekt dhe thirren me arrogancë në stol, e deri më sot nuk kemi parë asnjë rebelim ndaj presidentëve.
Rasti i fundit, ai në skenën e madhe, Antonio Konte i Çelsit që pritet të zëvendësohet nga Mauricio Sarri. Rasti në “skenën e vogël”, ai i Peter Pakultit të Kukësit që u zëvendësua nga Armando Cungu.
Nuk është e lehtë për ta që të refuzojnë. Qindra milionë që ndjekin ndeshjet në televizor, nëpër stadiume, kudo në gjithë botën, që diskutojnë nga e hëna në të dielën, që shpenzojnë kohë, energji e para, dhe që të bëjnë idhull për gjithë jetën. Ky është spektakli më i madh i botës moderne, përveçse që është profesioni i tyre, identiteti i tyre, dhe burimi i tyre i madh financiar.
Gjithsesi, për hir të dinjitetit njerëzor, duhet të dilte dikush, duhet të dalë të paktën njëri që të thotë: “Jo, unë nuk bëhem trajner i X skuadre, sepse Y koleg i imi u hoq në mënyrën më të padrejtë”! Do të kisha dashur që ky të kishte qenë Sarri, me tipin e tij prej rebeli simpatik. Le të ketë një frymë sindikaliste edhe në profesionin sot më të pasur në botë. Për hir të dinjitetit!
Sfidanti.al