Leclerc: Ferrari, zgjedhje zemre

Charles Leclerc ka folur me shumë optimizëm për të ardhmen e tij me Ferrarin, vetëm një ditë pas zyrtarizimit të rinovimit shumëvjeçar me skuadrën italiane. Piloti nga Monako ishte protagonisti kryesor i konferencës për shtyp para nisjes së fundjavës së Çmimit të Madh të Monakos, aty ku synon të përsërisë suksesin e arritur dy vite më parë në pistën e shtëpisë së tij.

Leclerc u shpreh se vendimi për të vazhduar me Ferrarin ishte një zgjedhje zemre, duke theksuar lidhjen e fortë që ka me “kokëkuqen”. “Nuk kisha një afat të caktuar për rinovimin. E dua këtë skuadër, jam në sezonin tim të tetë si pilot dhe prej dhjetë vitesh pjesë e Ferrarit. Ishin të parët që besuan tek unë dhe edhe unë besoj te projekti i tyre”, deklaroi piloti 28-vjeçar.