Kur të gjithë janë marrosur pas luftës për fronin e futbollit, aq sa nuk kanë frikë të zbulojnë se kur flitet për pushtet e për para, “stadiumet” mbushen plot, duke e flakur memecërinë vrasëse, nga Turqia mbërrin një gol madhështor, që duhet marrë si thirrje që del nga shpirti i lojës që po e detyrojmë të japë shpirt:
“ Shpëtoni futbollin, lëkurën ia keni hequr, po me skalpin.. çfarë keni!”. Elis Bakaj, talenti që u qortua aq shumë, kur patologjia për golin e shtrëngoi të provonte rrjetën, duke flirtuar me lojën e ndershme, këtë herë ka bërë një gol që ka vlerën e një ilaçi shërues kundër tërbimit masiv. Një tërbim i turpshëm që kanë injektuar zgjedhjet për postin e presidentit. Ja pse goli që pësoi Fenerbahçeja e famshme turke, edhe pse në një ndeshje miqësore, na duket si një zgjim i ëmbël nga ëndrra me djallin, që siç duket, do të na shtrëngojë fytin deri më 7 shkurt. Një datë që po luan ligësht me padurmin tonë, sa më shumë e presim, aq më shumë na largohet ajo…
Por, edhe “perënditë” heshtin para golave që janë të përsosur nga teknika, pale të peshosh edhe momentin kur mbërrijnë. Goli i Elis Bakajt me këmbën e majtë, i cili ka bërë për të qarë të djathtën primare, edhe pse më shumë se nga 20 metra largësi, do të kujtohet se ka qënë si një terapi e merituar për ata që kanë harruar thelbin argëtues të kësaj loje. Dikur flinim me golat, me heronjtë që i krijonin, pas shpëlarjes së truve në këto 16 vite, nisemi për natë në krevat me pyetjen që na ndan armiqësisht në kampe, Duka apo Fino?
Edhe pse të gjithë e dinë se golat na bashkojnë dhe lufta për fronin është si një ndeshje e trukuar që na djallos me njëri- tjetrin, prapëseprapë, nuk i gëzohemi sa duhet golit të Elisit, ngaqë, ta themi me zë të lartë e jo më me zë të ulët, sikur kanë filluar të na pëlqejnë më shumë golat e fabrikuar…
Sfidanti. al