Kush e kupton Murinjon? I heq vizën Grizmanit e Bejlit për Sançezin!

Zhoze Murinjo shpesh herë i merr gjërat personale, por jo edhe aq    kur vjen puna tek biznesi i tij si trajner futbolli. Për momentin fiksimi i tij (veçse profesional) është Aleksis Sançez. Tekniku i Mançester Junajtidit e ka ndarë mendjen se 29-vjeçari mund të jetë lojtari i duhur për skuadrën e tij, dhe ka vendosur t’ia shprehë “dashurinë” në mënyrë më të fuqishme dhe më bindëse të mundshme. Dihet se ai është mjeshtër për këtë.

Në Kili thonë se Junajtid është favorit për të marrë sulmuesin e Arsenalit, ndërsa trajneri i tij, Arsen Venger, deklaroi dje se Sançez mund të largohet pa kaluar mirë 48 orë. Francezi nuk dëshiron aspak t’i japë një lojtar kryesor të tij Murinjos, me të cilin ka marrëdhënie shumë të këqia, por është i zënë tepër ngushtë, pasi Guardiola (për momentin) nuk jep më shumë se 20-25 milionë paund, ndërsa Murinjo është gati të shpenzojë aq sa kërkojnë londinezët, 35 milionë.

Gjithsesi, Zhoze u përpoq t’i maskonte “këmbët” duke u shprehur se “ne nuk jemi skuadër e ndërtuar për të marrë lojtarë në janar, me përjashtim të rastit kur paraqitet ndonjë mundësi e jashtëzakonshme”. Aleksis Sançez është vërtet një mundësi e tillë. Për të marrë kilenin, “Mou” është gati të sakrifikojë dëshirat e tij të vjetra, Antuan Grizman e Garet Bejl.

Sfidanti.al