Kujtimi i Kutinjos frymëzoi Liverpulin në fitoren me Sitin!

Gjithçka ishte gati në dhomën e zhveshjes së vendasve në “Anfild” përpara sesa dy skuadrat të mbërrinin për sfidën e madhe. Fanelat dhe mbathjet (apo pantallonat e shkurtëra) ishin vendosur aty nga punonjësit e brendshëm, ashtu si edhe këpucët me thumba, ndërsa mbi çdo uniformë ishte identiteti i futbollistit.

Mes numrit 9 Roberto Firmino, dhe numrit 11 Mohamed Salah, ishte një vend bosh, ai që i takonte gjithnjë Filip Kutinjos. Në këtë mënyrë, “Anfildi” dhe Liverpuli i bënë nderimin e duhur dhe të fundit, yllit të larguar për tek Barcelona, ndërsa kujtimi i brazilianit frymëzoi shokët e tij të mëparshëm për të arritur suksesin më të madh të sezonit, atë ndaj Mançester Sitit.

Edhe trajneri Jurgen Klop i tha disa fjalë në konferencën për shtyp. “Mendoj se Kutinjo duhet të jetë hedhur përpjetë nga gëzimi për fitoren tonë, në dhomën e tij të ndenjies”, – u shpreh gjermani, i cili pranoi pak ditë më parë se ishte e pamundur që braziliani të mbahej tek Liverpuli, pasi dëshironte vetëm Barcelonën.

Sfidanti.al