Nëse flitet për Partizanin, mendja të shkon tek një klub që prej kohësh identifikohet me Starovën. Eshtë gjithmonë Sula që thirret kur skuadra kalon periudha të vështira, më pas largohet për t’ia lënë vendin dikujt tjetër, por gjithsesi mbetet gjithmonë pas një dere të pasme, i gatshëm për të hyrë sërish, qoftë edhe pa trokitur. Pra Sula, i cili emërimin stabël e ka këshilltar i presidentit, gëzon njëkohësisht edhe dy statuse të tjera, atë të shpëtimtarit dhe të rrezikuarit të përhershëm. Pas një kampionati, kur Partizani i tij mbeti një hap larg titullit kampion dhe që nuk e arriti vetëm sepse dikush nuk donte, e larguan për të sjellë një italian të madh, por vetëm në futbollin e luajtur. Mark Iuliano, ish-mbrojtës i Juventusit dhe i Kombëtares së Italisë, u ul në stolin e 15 herë kampionëve të vendit, me qëllimin për t’i kthyer sërish te titulli i madh pas 25 vjetësh. Por Iuliano e vuante eksperiencën shumë të pakët si drejtues nga pankina, ndoshta edhe talentin dhe kështu që në rastin e tij morri kuptim të plorë shprehja filozofike e Arrigo Sakit, sipas të cilës, që të jesh karrocier nuk është e thënë që dikur të kesh qenë kalë.
Tek Partizani duruan sa mundën dhe më në fund e larguan italianin që solli gabimisht Moxhi dhe kthyen sërish “il grande” Sulën. Starova e pastroi në një farë mënyre rrëmujën e të huajve, por që përpara përfundimit të vitit, drejtuesve u shkoi mendja ta zëvendësonin përsëri. Tani rreziku i erdhi nga kjo anë e Otrantos, pasi u thirr për ta zëvendësuar Magani i Durrësit. Starova u mundua ta sistemonte Partizanin, megjithëse i mungonin në apel shumë nga emrat e sjellë me bujë nga Moxhi gjatë merkatos së verës, ndërsa Gashi nuk mundi ta mbajë pretendente Teutën e tij. Por duket se këtë rradhë, Starova nuk do të kthehet lehtësisht në rolin e vjetër të këshilltarit, pasi Magani ka konfirmuar, se e ka pranuar ofertën e kampionëve të Kosovës, Trepça ’89. Megjithatë nuk dihet me siguri, nëse makthi i Sulës ka marrë fund dhe do të konfirmohet deri në fund të sezonit, apo do t’i gjejnë një tjetër kandidat për ta rrezikuar, menjëherë sapo të jetë konsumuar gjeli i detit.