Përjashtimi i kapitenit është përkufizimi më i mirë për sezonin e Realit. Sergio Ramos theu rekordin në ligën spanjolle, me kartonin e 19-të të kuq në karrierë, ndërsa Madridi realizoi rekordin më të keq të pikëve të fituara në një kampionat që nga viti 2008. Mirë kur Barcelona fiton, dhe nuk e mbërrin dot, por nuk arrin të përfitosh as kur katalanasit gabojnë.
Trajneri Zinedin Zidan vazhdon të jetë një optimist i pandreqshëm, por vërtet sa shanse ka Reali i tij për të mbrojtur titullin? “Më vjen keq për lojtarët që dhanë gjithçka në fushë, – shprehet francezi, – Do të kishte qenë fenomenale ta kishim ngushtuar diferencën, por do të kemi shanse të tjera. Jemi pak prapa në renditje, por kampionati është i gjatë, dhe unë mbetem optimist për titullin”.
Reali mund të ankohet edhe për ndonjë vendim jo të drejtë të gjyqtarit, por gjithsesi, kjo nuk mjafton për të spjeguar atë që po i ndodh këtë sezon. Skuadra e Zidanit shënon pak, vetëm 25 herë në 14 ndeshje, shumë poshtë mesatares së zakonshme, dhe shumë më keq jo vetëm sesa Barcelona, por edhe se Valencia. Me një ritëm të tillë në sulm vështirë të mbrohet titulli, ndërsa yjet ofensivë si Ronaldo apo Benzema mbeten në krizë.
Zidan, sidoqoftë, flet për një realitet tjetër. “Jam shumë i zhgënjyer duke pasur parasysh lojën që zhvilluam, – ishin fjalët e tij, – E dinim se kishim shansin për të ngushtuar diferencën me Barcelonën, dhe bëmë gjithçka për t’ia dalë, por nuk mundëm. Meritonim më shumë se barazimin, por fatkeqësisht nuk shënuam dot golat. Krijuam shumë raste, por topi nuk donte të hynte”. Diferenca prej 8 pikësh me kreun është e madhe, ndërsa vendi i katërt në renditje i keq për një klub si Reali, edhe pse Zidan, nuk heq dorë.
Sfidanti.al